Vunë 2 mln euro gjobë, tre “agjentë të BKH-së” morën peng biznesmenin 32-vjeçar

Nga Igli Çelmeta
13 Prill 2026, 16:16 | Kronikë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kanë marrë peng një biznesmen 32-vjeçar nga Divjaka, më datë 31 mars.

Tre të rinjtë, sipas policisë, kanë marrë peng 32-vjeçarin dhe më pas i kanë kërkuar 2 mln euro. Dy prej autorëve, Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç, janë ndaluar nga Policia e Tiranës, ndërkohë vijon në kërkim 28-vjeçari Jurgen Neza.

Tre autorët, të cilët rezultojnë me precedentë të mëparshëm, kanë vëzhguar lëvizjet e 32-vjeçarit dhe më pas kanë realizuar marrjen peng të tij pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku i riu sapo kishte dalë nga një lokal. Pasi i janë afruar, tre autorët janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë detyruar të hipte në automjetin e tyre, duke i vendosur edhe më pas gjobëvënien prej 2 mln eurosh.

32-vjeçari është mbajtur peng një ditë në një magazinë në Xhafzotaj, ku edhe është dhunuar dhe më pas është lënë i lirë, pasi kishin ulur shumën në 500 mijë euro, me kushtin që të siguronte paratë. Pas lirimit, i riu ka bërë menjëherë kallëzim në polici. Hetuesit identifikuan tre autorët nga kamerat e sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos