
Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale ku një efektiv godiste me grusht në bark një protestues në zonën e Zogut të Zi, kreu i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra autorin.
Bëhet fjalë për inspektorin me inicialet J. H., i cili është pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” Tiranë. Në video shfaqet protestuesi i prangosur, teksa në një moment goditet me grusht në bark nga efektivi.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm ku u shënuan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, pasi "blutë" po kërkonin të lironin rrugën e bllokuar.
“Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj”, vijon njoftimi. (A2 Televizion)