Dy ditë pas arrestimit, Argys Kalsi, 35-vjeçari i akuzuar si një nga grabitësit e një argjendarie në Paskuqan, doli para gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Kalsi mbajti qëndrim mohues për ngjarjen, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me të. Për një nga maskat e gjetura nga policia, Kalsi tha se mund të ishte e tij, pasi të tilla kishte hedhur poshtë.
“Maskat i kam qejf dhe i përdor për Halloween, mësohet të jetë shprehur 35-vjeçari. Pasi festoja i hidhja poshtë dhe kjo mund të jetë një nga ato maskat”.
Duke mos pranuar ngjarjen, i dyshuari nuk ka dhënë asnjë ndihmë për hetuesit në lidhje me autorin tjetër të grabitjes. Përkundër qëndrimit të tij, bazuar në provat e prokurorisë, gjykata vendosi që hetimi ndaj të dyshuarit të vijojë në masën e sigurisë “arrest në burg”.
35-vjeçari Kalsi u arrestua të martën nga Policia gjatë përpjekjes për t’u larguar nga Shqipëria përmes pikëkalimit kufitar të Qafë-Thanës. Ai po mbahej në vëzhgim, pas dyshimeve se ishte një nga autorët e vjedhjes së një sasie bizhuterish në një argjendari në Paskuqan, më 5 gusht.
Në ditët pas ngjarjes, në një zonë të pyllëzuar pranë fshatit Zgafnur, grupi hetimor gjeti armë zjarri, skafandër motoçiklete, maska silikoni dhe veshje e në një liqen në fshatin Qinam edhe motoçikletën e dyshuar si të përdorur në ngjarje. Burime pranë hetuesve, bënë me dije se në disa prej sendeve u gjetën gjurmë gishtërinjsh të 35-vjeçarit.
Kalsi do të hetohet për “vjedhje me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. (A2 Televizion)