Prokuroria e Posaçme SPAK ka vendosur të zgjasë hetimin ndaj dy ukrainasve të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, që nga Vlora trafikonte shtetas dhe rekrutonte shpërndarës droge, përmes dhunës dhe kërcënimeve psikologjike. Hetimi ndaj të dyshuarve Mark Petrenko dhe Nazar Khamuilo u shtri edhe për tre muajt në vijim, me kërkesë të SPAK dhe miratim nga Gjykata e Posaçme.
Burime pranë gjykatës për A2 CNN, bënë me dije se shtyrja e mbylljes së hetimit u arsyetua nga SPAK me nevojën e kohës për kryerjen e disa veprimeve hetimore në proces e sipër, mes të cilave analizimin i gati 18 lap-topëve dhe 23 aparateve celularë të sekuestruar për llogari të këtij hetimi. Të dyshuarit Petrenko dhe Khamulio dhe dy të tjerë u arrestuan në Vlorë në dhjetor të vitit 2024 nga operacioni i koduar “Transnacionalia”.
Sipas hetimit të nisur nga Prokuroria e Vlorës dhe kaluar më pas për kompetencë në SPAK, ata dyshohet se janë të përfshirë në një rrjet kriminal të përbërë nga ukrainas e bjellorusë, që rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës.
Personave që binin pre ju merreshin pasaportat dhe i detyronin përmes kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike të angazhoheshin në rekrutimin e individëve të tjerë, duke përdorur platforma të ndryshme në rrjetet sociale.
Më pas, këta persona detyroheshin të përfshiheshin në shpërndarje droge apo paligjshmëri të tjera. Gjatë operacionit në Vlorë, u shoqëruan 18 ukrainas, viktima të kësaj skeme, si edhe u sekuestruan pajisjet elektronike që po përdoreshin prej tyre për detyrat e dhëna nga grupi kriminal.
Për llogari të këtij hetimit, SPAK ka marrë dëshmitë e disa personave, që kanë treguar se janë detyruar t’i përgjigjen kërkesave të grupit kriminal, pasi kanë parë video ku personave të tjerë që kanë kundërshtuar janë dhunuar fizikisht dhe ju janë thyer gjymtyrët. (A2 Televizion)