Hetimet për inceneratorin e Elbasanit, korrupsion e pastrim parash. SPAK ngre akuzat ndaj Arben Ahmetajt

Nga Igli Çelmeta
6 Mars 2026, 18:46 | Kronikë

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me fraksionin e inceneratorit të Elbasanit.

Nëpërmjet avokatit, SPAK i ka komunikuar Arben Ahmetajt tre akuza: atë të “korrupsionit pasiv”, “pastrimit të parave” dhe “mosdeklarimit të pasurisë”.

Po ashtu, mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses së Ahmetajt, Erjola Hoxha, dhe ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka, të akuzuara për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet u mbyllën edhe për të pandehurit e tjerë në këtë dosje, për shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj.

Kujtojmë që kjo dosje doli si fraksion më vete nga procedimi i dosjes së inceneratorit të Elbasanit. Çështja u hetua nga tre prokurorët e SPAK, Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.

Që prej muajit korrik të vitit 2023, Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga SPAK, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të ish-zëvendëskryeministrit dhe familjarëve të tij.

Gjithashtu, Ahmetaj po gjykohet në Gjykatën e Posaçme edhe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në dosjen e njohur si “Buka sh.a.”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos