Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të bllokuar dy pasuri të paluajtshme të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Përmes një komunikimi zyrtar SPAK tha se masa e sekuestros preventive është caktuar mbi dy vila 4-katëshe tek Kodra e Diellit në kryeqytet, që përbëjnë 898 m2 sipërfaqe ndërtim në total.
Kjo lloj mase i “ngrin” pasuritë në fjalë duke e bërë të pa mundur shitjen e tyre tek një tjetër pronar. Bllokimi i dy pasurive është kërkuar nga SPAK për llogaritë hetimit penal të nisur ndaj ish-presidentit, Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi, të dyshuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Sipas SPAK, deputetes Kryemadhi i është sekuestruar ndërtesa me kat përdhes 152 m2 nga të cilat 82 metër katror banesë dhe 70 m2 verandë, kat nëntokë 139 m2, kat të parë 79 m2 dhe kat të dytë 51 m2 dhe verandë 28 m2.Të njëjtën sipërfaqe ka edhe vila që i është sekuestrua të ëmës së Kryemadhit në të njëjtën rezidencë banimi.
Struktura e Posaçme bëri me dije se vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga policia gjyqësore të martën dhe të mërkurën, duke u vendosur bllokimi i pasurive në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, si edhe duke ju komunikuar vendimin pronarëve.
Të martën Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-presidentin, Ilir Meta dhe atë të “detyrimit për paraqitje” ndaj deputetes Kryemadhi. Në përballjen në Apel Meta e Kryemadhi kundërshtuan akuzat e SPAK, duke i cilësuar si të manipuluara e të bazuara në dokumente si të falsifikuara. (A2 Televizion)