Gledis Trashaj, i biri i 63-vjeçarit Pal Trashaj, i cili ndërroi jetë 24 orë pasi konsumoi fotoksinë para godinës së Prokurorisë së Posaçme, ka zbuluar për mediat arsyet pse babai i tij ishte ditën e djeshme në SPAK dhe pse ndërmori aktin ekstrem.
Djali i tij shpjegon se Trashaj ishte viktimë e skemës së mashtrimit financiar me mikrokreditë dhe po kërkonte drejtësi pasi i ishte sekuestruar prona edhe pse kishte shlyer detyrimet.
“Te SPAK ai ka shkuar me këto vendime gjykatash. Në prill ka marrë një përgjigje nga SPAK, një letër me postë, i kanë thënë nuk qëndron, se kishte bërë një padi. Siç ishte rasti i Iute Credit, i këtyre kompanive ordinere mashtruese që shkatërrojnë një shoqëri të tërë. Me këto mikrokredi, me këto banka, shoqëri përmbarimore, Si mund të ndodh në 2024, për mua në 2014 një shoqëri përmbarimore të vendos sekuestro të plotë mbi pronën, mbi makinën, mbi gjithçka. SPAK të verifikojë vendimet e gjykatës së Lezhës, së Shkodrës. Do të ndjek të gjitha procedurat ligjore. Deri në gjykatën e Strasburgut. Ne do të marrim avokat do ta ndjekim se janë prekur të drejtat, shumë gjëra paralel të dëmtuara”, tha Trashaj.
Duke rrëfyer se ka fluturuar menjëherë drejt Tiranës pasi mori vesh lajmin për babanë, i riu zbulon se familja është e shokuar emocionalisht.
“Humbja e prindit është e rëndë”, rrëfen Trashaj, teksa ka shpjeguar se edhe atij i është bllokuar nga paga nga përmbaruesit, të cilët kanë vepruar pas një kredie të marrë pranë zyrave të një kompanie që ofronte mikrokredi.
“Që në 2014 me një vendim gjykate shoqëria përmbarimore “Arda El” mund të jetë shoqëri si Sudja, piramidale, personalisht mua më ka bllokuar minimumin jetik. Unë punoja në administratë në Zyrën e Shërbimit Turistik, Lezhë, nga marsi 2014. Minimumi jetik ishte diku 110 mijë lekë, e gjithë paga bllokohej në mënyrë absurde. Mua më ka prekur në mënyrë absolute. Isha në punë de facto, por de jure nuk merrja rrogë, është absurde ta mendosh.” (A2 Televizion)