Një oficeri policie në Shkodër i është vendosur lëndë plasëse në portën e banesës së tij private. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:10 të mëngjesin në lagjen “Tepe”.
Siç bëhet e ditur, për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se kanë qenë dy persona të maskuar me skafandër, të cilët kanë mbërritur në derën e banesës së efektivit Vilson Zhuri, me një motor.
Pasi kanë vendosur lëndën plasëse, ata janë larguar me shpejtësi. Zhuri, oficer prej dy vitesh në zonën e Pultit në Dukagjin, ngjarjen e lidh me detyrën dhe ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.
Në zonë muajt e fundit janë asgjësuar mijëra rrënjë kanabis dhe ky mund të ketë qenë një sinjal për policin. (A2 Televizion)