
Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm i dënuar me 2 vjet burg në mungesë nga drejtësia shqiptare, kërkon t’i shpëtojë përfundimisht rrezikut të arrestimit dhe dërgimit në qeli.
Përmes avokatit të tij, ish-kryeprokurori, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Posaçme ku kërkon parashkrimin e ekzekutimit të dënimit. Kërkesa për parashkrim është mekanizmi ligjor përmes të cilit, një i dënuar me burg në mungesë, që nuk arrestohet nga autoritetet për një kohë të caktuar pas shpalljes së vendimit, fiton të drejtën për të mos e vuajtur dënimin, shkruan A2.
Sipas Kodit Penal, për dënime deri në 5 vjet burg, apo më të lehta, vendimi parashkruhet nëse kanë kaluar 5 vjet nga dita kur vendimi ka marrë formë të prerë.
Dënimi ndaj ish-kryeprokurorit Llalla mori formë të prerë më 22 shtator 2021. Në këtë datë Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 2 vite burg ndaj tij, dhënë nga Shkalla e Parë në maj të të njëjtit vit. Verdikti ndaj Llallës nuk u ndryshua as nga Gjykata e Lartë, përcjell A2.
Ish-kupola e Prokurorisë së Përgjithme në periudhën 2012-2017 u fajësua për “fshehje, deklarim te rremë të pasurisë” në tre episode. Ai u vendos në dispozicion të drejtësisë gjatë hetimit dhe gjykimit në Shkallën e Parë. Por, kur dënimi ndaj tij mori formë të prerë, Llalla nuk u gjet në adresën e tij në Tiranë.
Ai ishte larguar me herët drejt Italisë, vend ku mori më pas edhe statusin e azilantit, shkruan A2. Në dhjetor 2021, Llalla u ndalua nga autoritetet italiane, në zbatim të dënimit të dhënë në Shqipëri, por u liruar në më pak se 24 orë për arsye shëndetësore.
Kërkesa e palës shqiptare për ekstradimin e tij nuk mori asnjëherë dritë jeshile. (A2 Televizion)