
Një 61-vjeçar nga Belshi, i cili ishte dënuar në Itali me 15 vite burg për drogë e shfrytëzim prostitucioni ra në prangat e policisë. Po ashtu “blutë” bëjnë me dije se shtetasi, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, përdorte dy identitete, raporton A2CNN.
“Vihet në pranga një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, i dënuar në Itali me mbi 15 vjet burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Plagosje”. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua faza e 86-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja””, thuhet në njoftim.
“Në kuadër të këtij operacioni, në Belsh, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Andrea Gjini alias Andrea Kuqja, 61 vjeç, banues në Belsh. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Lucca-s (Itali), në vitin 2016, e ka dënuar me 15 vjet, 9 muaj e 18 ditë burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Plagosje”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë”, vijon njoftimi.
Arrestimi provizor i këtij shtetasi u krye me qëllim ekstradimin drejt Italisë. (A2 Televizion)