I dogji makinën një polici për 1 milion lekë, pranga 39-vjeçarit në Vlorë. Porositësi u hakmor nga burgu

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 14:05 | Kronikë

I dogji makinën një polici për 1 milion lekë, pranga

Një 39-vjeçar në Vlorë është vënë në pranga nga policia pasi dogji makinën e një polici, me porosi të një personi tjetër.

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 39-vjeçar pasi dogji makinën e efektivit të policisë Denis Prifti, me porosi të një personi tjetër.

A2 CNN raporton se 39-vjeçari Albano Merkaj u porosit nga 35-vjeçari Ledio Hajdini për të djegur makinën e efektivit, në këmbim të 1 milion lekëve. Ky i fundit ndodhet në burg pasi është arrestuar pasi theu masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Nga hetimet rezulton se më 14 prill, autori ka djegur automjetin “Ford C-Max” të policit, ndërsa nga flakët është dëmtuar edhe një tjetër makinë e parkuar pranë saj.

Dyshohet se ngjarja lidhet me një operacion policor të mëparshëm, gjatë të cilit u ndalua porositësi për shkelje të masës së sigurisë.

Njoftimi i Policisë Vlorë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.

Policia zbardh dhe dokumenton në kohë të shpejtë djegien e qëllimshme të  automjetit në pronësi të një punonjësi policie.

Si pasojë e zjarrit u përfshi nga flakët dhe një automjet tjetër.

Identifikohet, kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i zjarrvënies.

Gjithashtu është dokumentuar me prova ligjore  dhe porositësi për djegien e automjetit, i cili ndodhet me masë sigurie "Arrest në shtëpi".

Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, automjeti me të cilin lëvizte autori i dyshuar.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe profesionale, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. M., 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal, si autor i dyshuar i zjarrvënies.

Nga hetimet rezulton se ky shtetas më datë 14.04.2026, ka djegur  automjetin e markës “Ford C-Max”, në pronësi të punonjësit të Policisë D. P.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, është përfshirë dhe është dëmtuar edhe një automjet tjetër i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K.

Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë  identifikimi i porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026, gjatë të cilit shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë D. P., kanë kapur në flagrancë shtetasin L. H., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për implikimin e personave të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos