Krimi në Nikël, vranë e groposën 34-vjeçarin, ekstradohet Agron Tufa

Nga Armand Bajrami
15 Shtator 2024, 14:14 | Kronikë

I prangosuri në pamje është Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burg nga drejtësia shqiptare për akuzën e “vrasjes me dashje”. 52-vjeçari Tufa u ekstradua mëngjesin e së dielës nga Italia, vend ku u arrestua në janar të këtij viti gjatë një operacioni policor shqiptaro-italian të koduar “Informacioni”.

Tufa ishte shpallur në kërkim prej vitit 2018, si i dyshuar për krimin makabër të vrasjes e më pas groposjes së Kejsi Hysës, ngjarje e ndodhur në Nikël të Krujës.

A2 transmeton se teksa ishte në kërkim, Gjykata e Krujës vendosi deklarimin e fajshëm të tij për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe për “armëmbajtje pa leje” dhe dënimin e tij me 30 vite burg.

Trupi i pajetë i Kejsi Hysës, banor i Niklës në Fushë Krujë, u gjet korrikun e vitit 2018, 9 ditë pasi ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij. 34-vjeçari u gjet i groposur në anë të një përroi pranë varrezave të fshatit, shkruan A2.

Hetimi i ngjarjes identifikoi Hysni Ramën dhe Agron Tufën, si autorë të ngjarjes, pas një konflikti për fajde e borxhe me viktimën. I dyshuari Rama u dënua me 20 vjet burg, si bashkëpunëtor në krim në janar 2020, ndërsa dënimi me 30 vite burg për Agron Tufën u dha një vit më vonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos