Atentati në Shkodër/ “Range Rover-i” me 2 automatikë i autorëve, i shkrumbuar plotësisht

Nga A2 CNN
30 Tetor 2024, 21:10 | Kronikë

Atentati në Shkodër/ “Range Rover-i” me 2 automatikë

A2 CNN ka siguruar pamjet që tregojnë automjetin tip “Range Rover”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të ndodhur pasditen e sotme në Shkodër, që la pas dy viktima dhe dy të plagosur.

Autorët e kanë djegur në fshatin Golem makinën luksoze që përdorën për të qëlluar në drejtim të “Mercedes Benz-it” me targa kroate, ku ndodheshin viktima Hamza Lici dhe i plagosuri, Arlind Bushati.

Nga pamjet shihet se automjeti është shkrumbuar plotësisht nga flakët, raporton A2. Makina e autorëve është djegur pranë ish-repartit ushtarak në fshatin Golem, të njësisë Rrethina. Ky lokacion është jo më larg se 5 minuta nga vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë, në lagjen Dobraç.

Policia në njoftimin për ngjarjen sqaronte se brenda mjetit tip "Range Rover" janë gjetur edhe dy armë automatike, nga të cilat besohet se janë qitur më shumë se 25 gëzhoja në vendin e ngjarjes, shkruan A2.

"Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se: Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike", sqaroi policia.

Sakaq, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos