I penduari i tretë i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi, rrëfeu para Gjykatës së Posaçme se ishte ekzekutor i Emiliano Ramazanit, autor i vendosjes së një sasie tritoli në banesën e Talo Çelës dhe atentator në katër vrasje, që mbetën në tentativë. Në të gjitha këto krime ai kishte bashkëpunuar ngushtë me Henrik Hoxhajn dhe në disa prej tyre edhe me të penduarin Nuredin Dumani. Detajet e ngjarjeve u rrëfyen në vetën e parë nga i penduari Tasi.
Për vrasjen e Emiliano Ramazanit në vitin 2020 në Elbasan, ai tha se u ishin premtuar 130 mijë euro, por se në fund kishte marrë vetëm 25. “Kishim tre opsione për vendin ku do ta qëllonim, por vendosëm ta bënim afër shtëpisë,” tha Tasi. I penduari tregoi se ishte afruar tek Ramazani, kur ai kishte parkuar makinën para sheshit të pallatit. “I dola nga xhami i pasagjerit dhe qëllova disa herë në qafë dhe në kokë. Ai nuk më pa kur u afrova, se po merrej me telefonin,” tha Tasi.
Në katër raste të tjera, Tasi kishte pasur rol ekzekutori, por kishte dështuar të kryente krimin. Të tilla ishin dy atentate të dështuara ndaj Aredin Beharit në Fier. Në të dy rastet, ndonëse i ishte afruar dhe kishte shtënë drejt tij, Tasi tha se i ishte bllokuar arma. Sipas tij, porosinë e kishte marrë Henriku nga Albert Pashaj.
E njëjta gjë, të penduarit i kishte ndodhur edhe në një përpjekje për të vrarë Gim Boriçin në Fier. Sipas Tasit, porosia për krimin ishte dhënë nga Viron Tavanxhi, i cili i kishte premtuar për krimin një hyrje në Fier, si dhe një shumë parash, por pa i caktuar shifër. Pasi kishin pikasur shënjestrën në verandën e një lokali, me Henrik Hoxhën në timon, Tasi ishte afruar 5 metra dhe kishte hapur zjarr me një armë kallashnikov, por arma kishte ngecur, shkruan A2 CNN.
I penduari tha se ishte lënduar edhe vetë gjatë djegies së makinës së përdorur për krimin. “Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Patëm një çakmak që kishte avulluar. Patëm një shkrepëse, por kishim pak fije. Kur u afrova që i vura flakën, zjarri më dogji mjekrën, flokët. U largova, por më morën flakë edhe dorezat,” rrëfeu Tasi.
Sipas rrëfimit të tij, bllokimi i armës i kishte shpëtuar jetën edhe biznesmenit Lulzim Masha në janar 2022 në Tiranë. Tasi tha se i kishte zënë pritë në zonën e Liqenit dhe se kur pa që po vinte me automjet, u vunë në aksion. “I drejtova armën dhe qëllova, por ai u duk sikur e kuptoi. Unë qëllova, por arma më ngeci,” rrëfeu i penduari. Sipas tij, për këtë vrasje u ishin premtuar 80 mijë euro, 40 mijë për të, 40 për Henrikun.
Bashkëpunëtori tregoi se me porosi të Nuredin Dumanit kishte shkuar bashkë me Hoxhajn të vendosnin tritol tek shtëpia e Talo Çelës në Bradashesh. Qëllimi, sipas tij, ishte shembja e godinës ku nuk banonte kush. Në këtë rast, ndonëse kishte vendosur dy sasi tritoli në dy shtylla, ai mundi të ndezë vetëm fitilin e njërës. “Kur ndeza sasinë e parë, fitili përparoi dhe unë u largova; s’e ndeza tjetrën. Shkoi dëm tjetri dmth,” rrëfeu Tasi.
I penduari tregoi edhe angazhimin me porosi të Dumanit për të vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës, dhe madje marrjen e një kapari prej 5 mijë euro. Por, sipas tij, e kishin anashkaluar, pasi Henriku nuk kishte dashur që të kryenin vrasjen. (A2 Televizion)