I penduari i tretë në dosjen e bujshme "Plumbi i Artë", Skerdi Tasi, ka dhënë këtë të martë dëshminë e tij para Gjykatës së Posaçme. Ai zbardhi detaje tronditëse për vrasjen e vëllait të Talo Çelës dhe Emiliano Ramazanit, dy ekzekutime të pororsitura nga Erion Alibej.
Tasi po ashtu ka rrëfyer se si është njohur me Nuredin Dumanin, përmes Henrik Hoxhës gjatë kohës kur është kthyer nga Gjermania.
DESHMIA:
- Vrasja e Bujar Çelës
Kur u ktheva nga Gjermania, mësova se Riku kishte rënë në kontakt edhe me Nuredin Dumanin. Riku më tha që 4 vrasje në Durrës, vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkozën e tjetrin i kishte bërë ky. Më tha që kishte marrë pjesë bashkë me një person që e quante "Kusho", që më pas mësova se ishte Nuredin Dumani.
Ishte pak në merak, pasi njolla e gjakut e gjetur tek vëllezërit Haxhia ishte e Rikut. Më tha që veç tyre kishin në plan të vrisnin edhe Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës.
Unë e takova Rikun tek shtëpia në Tiranë, që e kishte në Bllok. Të nesërmen takuam Nuredinin. Aty ramë dakord për ekzekutimin. Tek Nuredini, Riku më prezantoi si nipçe. Biseduam për kushtet dhe këta tregonin dhe atentatet e Durrësit. Aty morëm dhe një kapar, nja 5 mijë euro. Më vonë e mora vesh se porositës ishte Erion Alibej. Bujar Çela lëvizte me një “Benz”. Na tregoi shtëpinë, lokalin, por ne e anashkaluam. Riku nuk donte që ta vrisnim. Ne edhe e kemi parë, por nuk donim që ta vrisnim. Një herë u bëmë gati. Morëm makinën për atentatin. Por dikush kishte raportuar targën, si makinë e dyshimtë.
- Vrasja e Emiliano Ramazanit
Më pas vendosëm të mos merreshim me Çelën, por vendosëm në shënjestër Emiliano Ramazanin. Ramë dakord për 130 mijë euro në këtë vrasje. Ne kishim foto të Emilianos, i dinim edhe makinën. Nuk po e gjenim dot në Elbasan. Kishim tre opsione, shtëpia, palestra, apo lokali.
Gjatë kësaj kohe rrinim në Tiranë. Çdo ditë shkonim në Elbasan, me makina të ndryshme me qira. Në atentat përdorëm makinën që na e siguroi Nuredini. E njëjta që do përdornim për Bujar Çelën. Dy herë makinën e kemi marrë në Bradashesh në një magazinë, që më pas mësova se ishte e Arben Lazes.
Kishim 4 armë për këtë ngjarje. Po ta qëllonim në parakalim do përdornim kallash, ndryshe pistoletën. Ditën e ngjarjes i shkuam tek palestra, por pamë që s'ishte vend i përshtatshëm. Kështu që e pritëm tek shtëpia, në rrugë kryesore. E pamë që u afrua. Vinte me një "Ford Fiesta". Unë zbrita. Henriku qëndroi shofer. Unë mora 2 pistoleta me vete. U afrova dhe pasi parkoi dhe fiku makinën, u afrova me vrap. I dola nga xhami i pasagjerit. Nga aty e qëllova disa herë, në kokë, qafë. Ai nuk më pa, se po merrej me telefonin. Në oborrin brenda pallatit ndodhi.
E dogjëm makinën pas krimit, bashkë me dy armë. Armët që përdora i mora me vete. Ikëm në Tiranë duke i rënë nga Peqini. Diku ku ishin ca betoniere fshehëm armët dhe Riku i çoi foto Nuredinit në SKY, pasi ato do çoheshin diku tjetër, me qëllim që t'i faturohej ngjarja dikujt tjetër.
Na kontaktoi edhe një Klara për lekët. Në kishim marrë disa shuma ndërkohë. Si rregull duhet të ndanim 60 mijë euro me Rikun, por unë mora 25 mijë. (A2 Televizion)