Për 3 vepra penale, SPAK mbyll hetimin ndaj ish-deputetit socialist, Çyrbja

Nga Armand Bajrami
15 Korrik 2025, 18:16 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka përfunduar hetimin e nisur ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. Në dosjen e dërguar në gjykatë, ku janë të pandehur edhe Ahmet Masha dhe Altin Hajri, SPAK kërkon gjykimin e tyre për veprat penale të “tregimit të sekretit shtetëror”, “përkrahje të autorit të krimit” dhe të “korrupsionit në zgjedhje”.

Sipas SPAK, në 8 episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020- mars 2021, të pandehurit janë vënë në dijeni të të dhëna nga sistemi “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informatave sekrete të Policisë së Shtetit për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Referuar hetimit, këto informacione i janë përcjellë të kërkuarve përmes aplikacionit SKY ECC, çka i ka ndihmuar ata t’i shpëtojnë arrestimit, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, SPAK pretendon ish-deputeti Çyrbja ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, aktualisht i shpallur në kërkim edhe për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës. Të njëjtit, ai akuzohet se i ka premtuar ushtrim të ndikimit në Polici dhe prokurori në këmbim të mbështetjes elektorale.

Për llogari të hetimit të kësaj çështjeje, SPAK ka analizuar jo vetëm komunikime në platformën “SKY EÇ”, por edhe në atë “Matrix”. Në përmbajtjen e tyre evidentohet njohja mes të pandehurve, veprimet e paligjshme të pretenduara nga SPAK, por edhe pohim i vendtakimeve me punonjës të policisë, nga janë informuar për operacionet policore.   Struktura e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ka veçuar një hetim, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tre të pandehurve, të cilët kanë zbuluar akte “sekret shtetëror”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos