
Policia e Tiranës ka arrestuar në 51-vjeçar, i cili akuzohet se u ka shitur fishekzjarrëve protestuesve të cilët i kanë përdorur në protestat e fundit të studentëve, raporton A2 CNN.
Në magazinën që zbuloi policia u gjetën 1853 fishekzjarrë, në ambientin që administronte te “Tregu Çam”. Të hënën Policia e Tiranës sekuestroi nga një banesë në rrugën “Zela”, 47 pako me fishekzjarrë që shiteshin për qëllime të kundërligjshme.
“Në kuadër të fazës së tretë të operacionit të koduar “Fireworks”, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 51 vjeç. Gjatë kontrollit në magazinën që ky shtetas administronte në rrugën “Çamëria”, u gjetën 1853 fishekzjarrë. 51-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumente shoqëruese për blerjen e tyre”, tha policia.
“Nga informacionet e siguruara dyshohet se shtetasi i arrestuar iu ka shitur lëndë piroteknike shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme, gjatë tubimit të datës 24.10.2026. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”. (A2 Televizion)