“I qëlluam nga brenda makinës, mu bllokua arma”, Skerdi Tasi tregon atentatin ndaj vëllezërve Boriçi: Kur dogjëm makinën, u dogja edhe vetë

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 12:31 | Kronikë

“I qëlluam nga brenda makinës, mu bllokua arma”, Skerdi

Të tjera detaje tronditëse ka zbardhur në seancën e sotme për dosjen "Plumbi i Artë", Skerdi Tasi.  Në dëshminë e tij këtë të martë, i penduari i tretë i drejtësisë tregoi momentin e atentatit ndaj Agim Boriçit dhe të vëllait të tij. Para togave të zeza ai tha se së bashku me Henrik Hoxhajn i qëlluan nga 5 metër largësi dhe sesi iu bllokua arma.

“Teksa kërkonim Gim Boriçin, mësuam se e kishin parë tek spitali. Shkuam atje me një makinë "Renault Clio". Nuk e gjetëm tek spitali. I shkuam tek lokali i tij. Boriçi ishte duke pirë kafe me vëllanë. Henriku tha, aq më mirë. Sipas tij, nëse i vrisnim të dy ishte më mirë për porositësin. U afruam nga rrugicat drejt tyre. Unë kisha një kallash, ndërsa Henriku një pistoletë "Glock". U afruam dhe qëllova, por pas një breshërie më ngeci arma. Henriku vazhdonte qëllonte dhe më tha, qëllo se do na ikin. Nuk kam ça bëj, i thashë se mu bllokua. Ne i qëlluam nga brenda makinës. Unë isha në sediljen mbrapa, ndërsa Riku në timon. Kishim vendosur të ishim të dy ekzekutorë, pasi nuk e dinim se ku do e qëllonim, në lëvizje, në parakalim a nuk e di. Nëse do zbrisnim, ai do isha unë. Ne qëlluam nga 5 metër largësi. Pamë që ata u ngritën dhe ikën drejt shtëpisë, se ishte ngjitur”.

Në dëshminë e tij ai theksoi se kur dogji makinën u dogj edhe vetë, pasi i morën flakë mjekra dhe dorezat, të cilat u gjetën nga policia.

“Ne nuk dolëm nga makina. Pastaj ikëm tek vendi ku do digjnim makinën. Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Patëm një çakmak, që kishte avulluar. Patëm një shkrepëse, por kishim pak fije. Kur u afrova që i vura flakën, zjarri më dogji mjekrën, flokët. U largova, por më morën flakë edhe dorezat”.

Por pavarësisht kësaj, ai tregoi se Renato Saliaj i kishte thënë të rrinte i qetë pasi nuk kishin asnjë provë që mund ti zbulonte.

“Dorezat që i hoqa ishin gjetur nga policia. Vironi më tha se kishin gjetur një provë, por kishte një kushëri tek ekspertiza. Më tha që do flas dhe që duheshin kaq lekë, por e kuptova që donte ta bënte këtë, që të mos i kërkoja më lekë. Henriku më tha se Renato Saliaj i kishte thënë të ishim të qetë se nuk kishim asnjë provë që mund të na zbulonte”.

Kujtpjmë që tentativa e vrasjes së Agim Boriçit dhe Ilir Boriçit ka ndodhur më 11 prill 2018 në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos