I thirri SPAK në gjyq, dëshmitarët lavdërojnë kryebashkiakun Shkreli

Nga Armand Bajrami
26 Shkurt 2026, 18:32 | Kronikë

Gjykata e Posaçme dëgjoi nëntë dëshmitarë të thirrur nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Kryebashkiaku po gjykohet për “korrupsion zgjedhor”, pas dyshimeve se parazgjedhjeve të majit 2025, i ka bërë remont infrastrukturën së energjisë elektrike fshatit Stajkë, në këmbim të votave drejt Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Teksa do të provonte akuzën me ta, SPAK u përball me dëshmitarë që falenderonin të pandehurin, për investimin e kryer. “Faleminderit prej tij, se na ka sjellë dritat. Ne nuk kemi ca flasim për të. Për ne është i nderuar, i respektuar. Falë tij kemi edhe rrugën”, tha dëshmitari Alfred Martini.

“Jemi ankuar tek ky zotnia dhe na ka zgjidhë punë. Kristiani na ka sjell korrentin na ka sjell rrugën e makinës”, u shpreh dëshmitari tjetër Kol Koleci. Njëri pas tjetrit, dëshmitarët folën për një takim me kryebashkiakun në prill 2025, ku i kishin kërkuar investim për energjinë.

Ata pranuan se Shkreli ju kishte kërkuar të merrnin pjesë në një miting elektoral të PSD, por mohuan kategorikisht që të jenë orientuar për të votuar ndonjë forcë të caktuar politike. Dëshmitarët mbajtën të njëjtin qëndrim edhe kur u përballën nga prokurori Dritan Prençi me përgjime telefonike të tyre.

Në një komunikim mes dëshmitarit Martini dhe Kristian Shkrelin, zyrtari vendor i thoshte “dritat i ke të kryme” e më pas “veç për Tomën”, ndërsa merrte përgjigjen “mos e caj kryt” nga bashkëbiseduesi.  Po ashtu, prokurori bëri kundërshtime të dëshmive me deklarimet e dhëna në SPAK. Në një prej tyre, një prej dëshmitarëve kishte pohuar se Shkreli i kishte thënë “t’i japim zjarr për Tom Doshin”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos