14 shqiptarë të kërkuar nga drejtësia janë në total të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri. Miti i ekstradimeve nga Dubai u thye për herë të parë më 2 maj 2025, ku Florenc Çapja u ekstradua nga Emiratet Arabe. Ndërsa ekstradimi më i bujshëm i realizuar nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare është kryer këtë të enjte më 26 shkurt 2026. 47-vjeçari nga Nikla Durim Bami, një emër i shumë lakuar në botën e krimit dhe i shumëkërkuar nga drejtësia më në fund është ekstraduar në Shqipëri.
Durim Bami është arrestuar që prej 14 majit 2024 në Dubai, ku fillimisht qëndroi në burg atje dhe më pas kaloi në masën e "arrestit shtëpiak", shkruan A2 CNN. Durim Bami është nga shqiptarët që strehohej në Dubai, i cili ka qëndruar më shumë në burg atje më shumë se kushdo shqiptar tjetër, mbi 1 vit, më pas ndaj tij u caktua masa arrest shtëpie, masë sigurie më të cilën ishte edhe kur u miratua ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Prej 14 majit 2024 ka qenë një betejë e fortë mes autoriteteve shqiptare për të kryer ekstradimin e tij i cili po shkonte drejt finalizimit pas një pune voluminoze nga departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare në policinë e shtetit. Së fundmi autoritetet në Dubai kishin nisur edhe procedim për verifikim pasuror për Durim Bamin. Pas një kalvari të gjatë gjyqesh dhe procedurash vetë Durim Bami pranoi edhe vetë të ekstradohej në Shqipëri.”
Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Nën masa të rrepta sigurie, pasi do të fluturojë nga Dubai dhe do të kryejë transitin në Stamboll, Durim Bami do të mbërrijë në tokën shqiptare në Rinas dhe më pas do t'u dorëzohet autoriteteve të drejtësisë. Bami akuzohet nga SPAK se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale kërkonin eliminimin e Durim Bamit. Të gjitha tentativat e vrasjeve u zbuluan nga SKY ECC.
Po ashtu, SPAK e akuzon Durim Bamin se në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikuan vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit. SPAK e akuzon Durim Bami se drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–shtator 2020. SPAK zbuloi se më ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina i arrestuar më parë, i jepte informacione për operacionet e policisë. Ekstradimi i Durim Bamit nga Dubai, i sjell SPAK para drejtësisë një personazh që mund të ketë dijeni për shumë ngjarje të rënda kriminale. (A2 Televizion)