I vuri flakën shtëpisë së një gruaje prej borxheve të të birit, arrestohet 27-vjeçari

Nga A2 CNN
18 Qershor 2025, 14:19 | Kronikë

I vuri flakën shtëpisë së një gruaje prej borxheve

Një borxh i pashlyer është bërë shkak për djegien e qëllimshme të një banesë në qytetin e Roskovecit.

Policia bën me dije se një 27-vjeçar, i identifikuar si Edusjon Zyka është arrestuar pasi i vuri zjarrin banesës së një shtetaseje, me pretendimin se djali i saj i kishte para borxh.

“Menjëherë pas marrjes së kallëzimit të shtetases M. L., se një person i paidentifikuar i kishte vënë zjarrin banesës së saj, në lagjen nr. 1, gjatë kohës që ajo nuk kishte qenë aty, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit E. Z., 27 vjeç, banues në Fier”, njofton policia.

Si pasojë e zjarrit pati vetëm dëme të pjesshme materiale. Sakaq çështja është marrë në dorëzim nga Prokuroria e Fierit, për veprime të mëtejshme hetimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos