Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim më 16 qershor 2025 çështjen penale që përfshin katër të pandehur, mes tyre oficerë të policisë gjyqësore dhe persona të lidhur me një çështje penale të vitit 2020 në Dibër, shkruan A2 CNN.
Të pandehurit janë:
Shuip Cami, ish-oficer policie, akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë” pasi ka marrë 3 mijë euro për të ndikuar në hetimin ndaj Adrian Shahi;
Flamur Kurti, i dënuar më parë, akuzohet për “korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë” pasi i ka dhënë shumën prej 3 mijë euro Camit për të ndihmuar Shahi;
Fluturim Bajrami, me banim në Itali, akuzohet për “korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë” pasi i ka dhënë 2 mijë euro një specialisti policie, për të ndërmjetësuar pajtimin mes autorit dhe viktimës;
Aldo Puca, oficer policie, akuzohet për “shpërdorim detyre” për ndërprerjen e qëllimshme të përgjimeve dhe mosraportimin e komunikimeve korruptive në kohë, duke favorizuar autorin e dyshuar të një krimi të rëndë.
Ky procedim lidhet me një ngjarje të datës 9 janar 2020, kur në qytetin e Peshkopisë, shtetasi Adrian Shahi goditi me thikë bashkëfshatarin e tij, Bukurosh Zagradi. Për këtë rast u regjistrua procedimi penal nr. 09/2020 për veprën “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”.
Hetimet e SPAK zbuluan se zyrtarë të policisë dhe të afërm të Shahi-t kishin ndërhyrë për të zbutur pozitat e tij ligjore nëpërmjet ryshfeteve dhe manipulimeve hetimore. Ndërhyrjet përfshinin edhe ndërprerje të përgjimeve, vonesa në raportimin e provave dhe mosidentifikim të personave të përfshirë në korrupsion.
Dosja është dërguar për gjykim, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të zbardhë plotësisht skemën e ndikimit të korruptuar në organet hetimore të Dibrës. (A2 Televizion)