Gjykata e Tiranës ka reaguar për mjekun Edmond Gashi, i cili u largua nga dera e ndaluar me vrap pas seancës për vlerësimin e masës ndaj tij.
Në një njoftim sqarues, Gjykata e Tiranës bën të ditur se mjeku, teksa ka qenë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës.
Gashi u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Tiranës, e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” në skandalin e Onkologjikut.
Ai u paraqit në gjykatë rreth orës 10:30, ndërsa në hyrje ku e prisnin gazetarët nxitoi për t’iu shmangur dhe tha: Bëj vetëm punën. Ndërkohë, pas gati 100 minutash në gjykatë, ai doli nga ana e pasme duke vrapuar.
Gjykata Penale e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private. Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Në përgjime, dolën duke iu mohuar pacientëve shërbimin në shtet dhe i drejtonin drejt privatit. (A2 Televizion)