Ilir Meta, në Prokurorinë e Tiranës: I shokuar nga gjendja. Rama-Agaçi-Dumani kanë futur në xhep 3-4 prokurorë të SPAK

Nga Armand Bajrami
14 Maj 2024, 11:45 | Kronikë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte këtë të martë në Prokurorinë e Tiranës. Ai dha deklarime në lidhje me kallëzimin e bërë nga Petrit Vasili, për vjedhjen e sistemit elektronik të Partisë së Lirisë.

Pasi doli nga Prokuroria, Meta tha se kishte shkuar aty në respekt të ligjeve dhe institucioneve, dhe të përkrahjes që ata ta bëjnë këtë punë pa penguar. “Gjë që jam i bindur që nuk do të mund të ndodhë në një vend ku gjithçka është kapur nga një kryebandit si Edi Rama”, tha ai. “I gjithë procesi mafioz, për të kapur edhe vulën e PL dihet që është si rezultat i treshes Rama-Agaçi-Dumani. Kaq. Por PL ka 5 prioritetet e miratuar nga konventa, ka një qëllim madhor 4 milionë shqiptarë plus. Nuk do të lejojmë që të vijnë këtu proletarët e Edi Ramës”.

Meta shtoi se kishte mbetur i shokuar nga gjendja e Prokurorisë së Tiranës. “Gjendje e tmerrshme. Mal me dosje sepse nuk kanë ku t’i arkivojnë, mungesë investimesh. Një ashensor që nuk punon. Dhe unë zbrita nga shkallët se nuk kisha kohë, të harxhoja. Një situatë shumë e rëndë, deputetët në komisionin e ligjeve duhet të vijnë të shikojnë gjendjen”, tha ai.

“Ramaforma kujdeset vetëm për kushtet e 3-4 prokurorëve të SPAK-ut që i ka futur në xhep Engjëll Agaçi dhe nuk do t’ia dijë fare për të gjithë prokurorët e tjerë për të gjithë gjykatësit e tjerë. Mal me dosje, situatë e tmerrshme. Bile do të bëjmë thirrje qytetarëve, anëtarëve të PL të paktën ta lyejnë nga brenda se e kanë lënë në gjendje të mjeruar. Të rregullojnë ashensorin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos