
Policia e Gjirokastrës zbuloi një skemë të dhënies së parave me fajde dhe pastrimit të parave përmes dy subjekteve “Exchange” që operonin në Tiranë dhe Gjirokastër.
Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, policia finalizoi operacionin “Trace the floë”, ku u vunë në pranga 3 persona ndërsa një tjetër u shpall në kërkim, të cilët jepnin me fajde, para me burime kriminale. A2 CNN raporton se të arrestuar janë Rebani Koçiu, Lutmir Koçiu dhe Paqesor Koçiu, ndërsa në kërkim është shpallur Bufe Koçiu.
“Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat. Nga hetimet dyshohet se nëpërmjet 2 subjekteve “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit, në Gjirokastër dhe në Tiranë, 4 shtetasit jepnin me fajde, para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale”, njofton policia.
Gjatë kontrolleve në dy bizneset dhe në banesat e tyre u sekuestruan mbi 26.9 milionë lekë, shumën në valuta të huaja, pajisje elektronike dhe blloqe me shënime.
“Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit”, njofton policia, e cila po punon për kapjen e 27-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. (A2 Televizion)