
Kur na ndajnë edhe një ditë nga përfundimi i vitit 2025, efektivët e FNSH të Tiranës jo vetëm që nuk morën shpërblim për fundvit, por ende nuk u kanë paguar dietat për 3 muajt e fundit të vitit. Burime për A2CNN bëjnë me dije se efektivëve të FNSH në Tiranë që prej datës 1 tetor nuk u është paguar asnjë dietë për shërbimet jashtë Tiranës. Pagesat bëhen pasi miratohet fondi nga Ministria e Brendshme, e cila prej datës 1 tetor nuk i ka shlyer këto pagesa.
Reparti i FNSH Tiranë përbëhet nga mbi 200 efektivë, të cilët kryejnë shërbime të shpeshta jashtë kryeqytetit, shpesh në operacione ndihmëse ndaj komisariateve të tjera në rrethe.
Sipas burimeve, pagesat për dietat kryhen vetëm pasi miratohet fondi përkatës nga Ministria e Brendshme, por prej më shumë se 3 muajsh ky proces është pezulluar. Efektivët janë detyruar të mbulojnë vetë shpenzimet për ushqim, akomodim dhe transport gjatë shërbimeve jashtë Tiranës.
Ligji parashikon që punonjësit e policisë të marrin 55 mijë lekë të vjetra në ditë për çdo shërbim jashtë vendbanimit, shumë që mbulon hotelin, ushqimin dhe nevojat bazë. Jo vetëm që këto pagesa nuk janë kryer, por sipas ligjit dhe rregullores, efektivët duhet t’i marrin paratë paraprakisht përpara se të nisen në mision, gjë që në praktikë nuk ndodh. (A2 Televizion)