Policia e Shtetit, paralajmërim për fushatë phishing në platformën “WhatsApp”

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 09:28 | Kronikë

Policia e Shtetit, paralajmërim për fushatë phishing në

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”.

Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.

Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë, përcjell A2.

⚠️ Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve:

• Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur mesazhi iu shkon nga kontakte të njohura;

• Të mos japin kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale;

• Të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two step verification) në aplikacionin “WhatsApp”;

• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve që ofrojnë votime, çmime apo përfitime të menjëhershme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos