Deputeti i dorëhequr socialist Jurgis Çyrbja u paraqit paraditen e sotme në SPAK, ku i është komunikuar akuza e "shpërdorimit të detyrës".
Sipas SPAK, vepra është konsumuar në vitin 2014, kur ai mbante detyrën e drejtuesit të hipotekës së Durrësit.
Një ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit Jurgis Çyrbja u paraqit paraditen e kësaj të premteje në SPAK. Këtë herë ai ka qenë i shoqëruar nga avokatja e tij Brunilda Kullolli.
Ndaj socialistit në prill të 2021 ka bërë kallëzim nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka. Ky i fundit pretendonte se Çyrbja kishte shpërdoruar detyrën si drejtues hipoteke dhe se para zgjedhjeve të prillit 2021, kur ishte kandidat për deputet, kishte shpërndarë certifikata legalizimi.
Mandati i deputetit i takon Erjon Mekës, pasi Denis Deliu dhe Arkend Bala kanë marrë mandatin e deputetit pas Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës. (A2 Televizion)