Kanabisi në valixhe që u kap në Rinas u nis nga Tajlanda, A2 CNN zbardh detajet

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2024, 11:35 | Kronikë

Kanabisi në valixhe që u kap në Rinas u nis nga Tajlanda, A2 CNN

Kanabisi i sekuestruar mëngjesin e sotëm nga agjentët e policisë në Aeroportin e Rinasit ishte nisur nga Tajlanda.

Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra raporton se 21-vjeçari nga Luksemburgu, Brice Tchantchou ka udhëtuar me tranzit nga Tajlanda në Dubai dhe destinacion final ka pasur Tiranën.

Para hetuesve ai ka deklaruar se valixhen me kanabis ia ka dhënë një tajlandez, por në Tiranë nuk e dinte se kush do e priste ngarkesën prej 26 kg e 700 gram kanabis.

Sakaq, policia sqaroi se droga ishte fshehur në bagazhet e të riut nga Luksemburgu, ndërsa policia po heton për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me  autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara  për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fluturimi". Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg. Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis”, njoftoi policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos