Pasditen e së premtes, në rrjetet sociale u fol për rrëmbimin e një vajze dhe i bëhej thirrje policisë që të vepronte sa më shpejt.
Policia doli me njoftim për rastin duke thënë se ka zbardhur ngjarjen dhe ka konfirmuar se kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje mes një çifti dhe jo me një rast të vërtetë rrëmbimi, siç raporton A2.
"Në lidhje me një shkrim të publikuar në një portal, i cili flet për rrëmbimin e një shtetaseje, ju sqarojmë: Me marrjen e informacionit mbi këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë angazhuar maksimalisht për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, dhe shoqërimin e personave të përfshirë. Bazuar në inteligjencën informative është bërë identifikimi i targës së automjetit tip "Benz", dhe shoqërimi në ambientet e Policisë i drejtuesit të tij, shtetasit K. M., dhe shtetases A. C., të cilët kanë deklaruar se në Rrugën e Qelqit, kanë patur një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, për motive xhelozie", lexohet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)