Një operacion i policisë italiane në Firence ka çuar në arrestimin e një çifti shqiptar, të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Dy të rinjtë, 38 dhe 25 vjeç, u kapën në flagrancë me një sasi prej 23 kilogramësh kokainë të pastër.
Operacioni u zhvillua në zonën “Greve in Chianti”, ku agjentët kishin vendosur në vëzhgim apartamentin e 38-vjeçarit, i cili ndodhej në rrugën “Via Zani”. Pas një periudhe hetimesh të fshehta, oficerët vunë re lëvizje të dyshimta nga i dyshuari, i cili doli nga banesa me një çantë në dorë dhe e vendosi në makinën e tij.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë zbuloi se në çantë ndodheshin gjashtë pako kokaine të mbështjella me plastikë blu, të shënuara me kodin ‘357’, që dyshohet të jetë një kod identifikues i grupit kriminal që porositi lëndën narkotike.
Pak minuta më vonë, në vendngjarje mbërriti edhe partnerja e tij 25-vjeçare, e cila tentoi të largohej me shpejtësi kur pa policinë, por u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër.
Kontrollet e mëtejshme në apartament zbuluan 14 pako të tjera kokaine me të njëjtat karakteristika, të fshehura në një dollap, si dhe një shumë prej 11,450 eurosh në një kasafortë.
Të dy të arrestuarit u dërguan në burgun e Sollicciano-s, në pritje të masës paraprake të sigurisë.
(A2 Televizion)