Përgjimet e “urës” së drogës, në pikat kufitare kalohej jo vetëm ngarkesa, por edhe trafikantë

Nga Xhensila Kodra
24 Maj 2025, 15:08 | Kronikë

Dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme dhe Antimafias Italiane që A2 CNN disponon, nxjerrë në pah influencën që trafikantët kishin në Pikat Doganore, jo vetëm për të kaluar lëndë narkotike drejt Italisë, por edhe persona që nuk dispononin dokumentacione përkatëse.

Sipas dosjes hetimore, i dyshuari Pirro Çapi, i identifikuar edhe si Spiro kishte një rol kyç në organizimin, financimin dhe koordinimin mes lidhjeve sesi funksiononte transporti i drogës në rrugë tokësore nga Turqia, më pas kalimi në Kosovë, në Shqipëri e më pas nëpërmjet portit të Durrësit drejt Italisë. Kalimi i lëndës narkotike bëhej nëpërmjet kamionëve që Çapi kishte në pronësi.

Një tjetër episod në dosje, zbulohet teksa Naim Beluli, efektiv kufiri në portin e Durrësit, ka kaluar në mënyrë të paligjshëm trafikantin Edison Çukaj, pasi nuk zotëronte dokumentacion të rregullt. Ndërhurja në këtë rast është bërë nga Ervis Deti.

Në dosjen e zbardhur nga A2 CNN evidentohet se për trafikun ndërkombëtar të drogës, bosët e grupeve Adi Çoba, Erigels Presi, por edhe Gertin Aliu kishin pika të forta kontakti nëpër porte. Nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet rezulton se Gertin Aliu i cili merrej me dërgimin e lëndës narkotike ndihmohej shpesh nga operatorët portualë që e mbanin drogën me vete për të shmangur kontrollet dhe për t’ia dorëzuar më pas shoferëve të kamionëve.

Një pjesë të mirë të informacioneve në lidhje me grupin e drejtuar nga Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, e ka dhënë edhe i penduari Nuredin Dumani, i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë. “Xhevdet Troplini, me nofkën Poja, është më i rëndësishmi. Më pas vjen nipi i tij, djali i motrës, Visi i Pojës dhe djali, Fatmir Troplini”, thotë Dumani në dëshminë e tij.

Bashkëpunëtori i drejtësisë tregon se kishte kontakte personalisht me të akuzuarit dhe se ata i kishin treguar se mund ta fusnin drogën në zonën e Kalabrisë pasi kishin kontakte atje. Nga operacioni i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane u lëshuan 52 urdhër arreste, ku u vunë në pranga 42 persona ndërsa 10 të tjerë mes tyre krerët e grupit kriminalë janë ende në kërkim.

Të premten në Gjykatën e Posaçme dolën për verifikimi mase 14 prej tyre. Pas një seance maratonë për gati 11 orë, gjyqtarja la në fuqi masat arrest në burg për 11 të ndaluarit e operacionit “Ura”, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë në disa shtete të botës. Masë më e butë, ajo e detyrim paraqitje u caktua për avokatin Armand Tragaj, për Ervis Detin dhe Bexhet Memën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos