Kërcënim për bombë, E-mail frikësues në gjykata e bashki, rezulton fals

Nga Armand Bajrami
27 Gusht 2026, 16:40 | Kronikë

Një email kërcënues për shpërthimin e një bombe, i mbërritur në adresën elektronike të disa institucioneve të rëndësishme në mbarë vendin, vuri në alarm Policinë e Shtetit mëngjesin e së enjtes.

Emaili, me dërgues të paidentifikuar, kishte mbërritur në postën elektronike të disa gjykatave në Tiranë, Lezhë, Vlorë dhe Durrës, por edhe në disa prej bashkive të këtyre qyteteve.

Në përmbajtjen e emailit kërcënues, dërguesi prezantohej si “Shteti Islamik” dhe njoftonte për vendosjen e një bombe në një ndërtesë, e cila do të shpërthente pas dy orësh. Më pas, dërguesi kërcënonte edhe me vrasje.

Sinjalizimi i rastit bëri që Policia të dërgonte agjentë për të ushtruar kontrolle dhe për të kaluar në filtër institucionet e kërcënuara dhe perimetrin e tyre, ndërsa në disa raste u bë edhe evakuimi i godinave.

Ky është momenti kur një qen anti-eksploziv i Gardës së Republikës po ushtronte kontroll në ambientet e Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut.

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht në orët pasuese se, nga kontrollet e kryera, nuk rezultoi që në objektet e kërcënuara të ishte vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Sipas verifikimit paraprak, emaili ishte dërguar nga domeni i një universiteti në Argjentinë.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, nisën hetimin për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos