Një 32-vjeçar në Shkodër ka rrëfyer në polici një ngjarje të regjistruar mbrëmjen e djeshme. Në kallëzimin e tij, ai pretendon se disa persona e kanë kërcënuar me armë nga një motor në lëvizje.
“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës”, bën me dije policia e qytetit verior.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore, raporton A2.
“Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna”, sqarojnë në vijim uniformat blu, përcjell A2.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit. (A2 Televizion)