Kërcënoi gjykatësit, shoqërohet në komisariat xhaxhai i Elvis Shkambit

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 12:25 | Kronikë

Gjovalin Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, i cili akuzohet për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja të hënën në sallën e gjyqit, është shoqëruar në komisariat pas deklaratave të tij. 

Sipas Kodit Penal, deklaratat e tij përbëjnë veprën penale të kanosjes ndaj punonjësve shtetërorë dhe mund të dënohen deri në 2 vjet burg.

Mëngjesin e të martës, Shkambi tha para kamerës se edhe gjyqtari i cili do të dënojë nipin e vet për vrasjen, do të përballet me të njëjtin fat. “Edhe gjyqtari që do ta dënojë do të përballet me plumba. Ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit e të gjithë qeverisë: Na jepni pronën, se ia kemi blerë shtetit! Ai gjyqtar që do ta dënojë ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. S’na përdhunon kush”, tha Gjovalin Shkambi, përcjell A2 CNN.

Gjovalini thotë se prona për të cilën palët ishin në gjyq i është blerë shtetit. “Ose të na fusë në burg, se kemi privatizuar pronën gabimisht”, thotë ai.

Edhe pse shton që i kërkon falje familjes Kalaja për humbjen e njeriut të tyre, Gjovalin Shkambi kërcënon gjykatësit e tjerë që do të merren me çështjen e nipit të tij dhe të pronës. “Familjes të të ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami. Por ai që do të dënojë atë djalë, do të gjykohet sikur është gjykuar Astriti (Kalaja). Se e kemi blerë pronën me ligj dhe me rregulla. Kush ta dënojë atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump, qoftë edhe Papa, s’ka lojë me ne më! I kemi fituar të gjitha gjyqet, e kemi me certifikatë. Të hetojë shteti, se kemi 13 vjet që i shkruajmë Edi Ramës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos