Gjykatat e Apelit ka lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta. Ky i fundit ankimoi në Apelin e GJKKO-së vendimin e Shkallës së Parë që i la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, me arsyetimin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku për prishje provash apo intimidim të dëshmitarëve.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 08.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 194 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 546, datë 13.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimi i masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg”, për shtetasin I.M, akuzuar për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 546, datë 13.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, më datë 08.09.2025”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në ankimimin e tij, Meta dhe mbrojtja e tij thonë se këto janë alibi, pasi hetimet janë mbyllur dhe dëshmitarët kanë dhënë deklarimet, shumica prej tyre tashmë të larguar nga Partia e Lirisë dhe të lidhur me PS.
Ai akuzon gjyqtarin Erjon Çela për paragjykim dhe cenim të prezumimit të pafajësisë, duke e quajtur vendimin një precedent të rrezikshëm.
Ilir Meta akuzohet për tri akuza nga SPAK: “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. (A2 Televizion)