A2 CNN ka mësuar detaje të reja në lidhje me plagosjen me armë zjarri të 18-vjeçares në një hotel në Sauk.
Në mesnatë në spitalin e Traumës është paraqitur shtetasja Natalia K., e cila siç mëson A2 CNN kishte një plagë në zonën e shpatullës ku plumbi kishte mbetur në brendësi.
A2 CNN raporton se kur është pyetur nga policia ajo deklaronte se ishte plagosur vetë, por nga marrja në pyetje e oficerëve të policisë, rezultoi se ajo dhe shtetasi Erisjan Gjuta kishin qenë në të njëjtën dhomë në ambientet e hotel Gjuta në Sauk.
Më pas këtë shtetase e kanë dërguar me taksi në spitalin e Traumës dhe janë larguar. Ajo ka deklaruar se është vetëplagosur, por policia ka dyshime se edhe mund të jetë plagosur, por nuk ka mundur ta vërtetojë, për shkak se në hotel nuk kishte kamera sigurie.
A2 CNN mëson gjithashtu se kur është pyetur në spital 18-vjeçarja ka deklaruar se ka bërë disa gabime në jetë prandaj ka ndërmarrë edhe veprimin ekstrem dhe se kishte tentuar edhe më parë vetëvrasjen. Fillimisht në spital 18-vjeçarja nuk e ka treguar të saktë mbiemrin.
A2 CNN mëson se djali që ka qenë në dhomën e hotelit me vajzën është nipi i Vladimir Gjutës, një emër i njohur për policinë. Por sipas saj kur është vetëplagosur ka qenë vetëm në dhomë dhe jo me të dashurin e saj Erisjan Gjuta.
I akuzuar më parë si autor i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri vite me parë, Vadimir Gjuta u arrestua me 10 shkurt të 2020 pranë Selisë së PS me pistoletë dhe 180.000 euro në çantë.
(A2 Televizion)