Kokaina në Frakull, dy prej të arrestuarve bëhen bashkëpunëtorë të SPAK

Nga Armand Bajrami
13 Prill 2026, 12:16 | Kronikë

Kokaina në Frakull, dy prej të arrestuarve bëhen

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka tërhequr në bashkëpunim dy prej të arrestuarve nga një operacion i vitit 2022 gjatë të cilit u bllokuan 485 kg kokainë në Frakull, Fier. Burimet pranë SPAK bëjnë me dije se një prej tyre është shtetas shqiptar dhe një i huaj, raporton A2 CNN.

Në operacionin që u realizua nga SPAK në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe policinë malazeze, u sekuestruan në shtëpinë e ish-kryetarit të komunës së Farkullit, Viktor Çervanaku, 400 kilogramë pleh kimik, i ardhur nga Mali i zi në Shqipëri, që rezultoi i përzier me kokainë.

Porositësi e tërhoqi drogën nga Porti i Tivarit në Malin e Zi, por ngarkesa ishte mbajtur nën vëzhgim, për të zbuluar edhe destinacionin final të saj.

Më 25 qershor 2024 GJKKO dha vendimet për dhjetë personat e akuzuar për rastin e laboratorit të kokainës në Frakull. Më konkretisht, bëhet fjalë për Nikolin Gjolena, Viktor Çervenaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanaku, Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Redion Meshi, Julian Malaj, Marildo Rona.

DËNIMET:

Nikolin Gjolena - 17 vite - 11.4 me gjykim të shkurtuar

Viktor Cervanaku - 15 vite - 10 me gjykim të shkurtuar

Enxhi Ferhati -  12 vite - 8 me gjykim të shkurtuar

Klajdi Kodra - 17 vite - 11.4 me gjykim të shkurtuar

Bledar Matoshi - 12 vite - 8 me gjykim të shkurtuar

Denilson Çervanaku - 17 vite - 11.4

Zenel Çervanaku -  14 vite - 9.4 me gjykim të shkurtuar

Redion Meshi - 14 vite - 9.4 me gjykim të shkurtuar

Julian Malaj - 3 vite - 2 vite me gjykim te shkurtuar për (moskallëzim krimi) lirohet menjëherë

Marildo Rona - 12 vite - 8 me gjykim të shkurtuar

Në mars 2026, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë, ka zbuluar një episod të ri të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Shqipërisë, të lidhur me laboratorin e drogës në Frakull të Fierit.

Numri i personave të identifikuar në këtë rast ka shkuar në 15, prej të cilëve 10 janë tashmë të dënuar, ndërsa 5 janë identifikuar së fundmi dhe janë nën hetim. Pesë masa sigurie janë caktuar: tre persona janë arrestuar dhe dy janë shpallur në kërkim. Mes të pandehurve dhe të dënuarve figuron edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku, dhe disa familjarë të tij.

Hetimet lidhen me trafikimin në vitin 2022 të 485.5 kilogramë kokainë, e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e sekuestruar më 24 nëntor 2022 në Frakull të Madhe, Fier. Për këtë rast, SPAK ekzekutoi masa sigurie ndaj shtetasve K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim.

Gjatë hetimeve, autoritetet kanë kryer kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë, duke sekuestruar disa automjete luksoze Land Rover, përfshirë modele Range Rover Sport, Evoque, Discovery dhe Velar, si dhe dy aparate celularë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos