
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi një aksion të gjerë kontrolli në burgun e Peqinit. Gjatë kontrolleve në të gjitha ambientet e institucionit u sekuestruan sende të ndaluara, përfshirë mjete prerëse të improvizuara, kabuj dhe materiale të tjera të paligjshme, si dhe një sasi e dyshuar lënde narkotike.

Gjatë operacionit u krye edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë.
Operacioni u realizua nga forcat operacionale dhe speciale, të mbështetura nga disa IEVP në vend, duke përdorur mjete të avancuara si dronë, qen antidrogë dhe skanerë, nën drejtimin e Drejtorit Adriatik Kupi dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Njoftimi i plotë i DPB
Aksion i gjerë kontrolli në IEVP Peqin
Në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, u zhvillua një kontroll i gjerë për sende të ndaluara.
Kontrolli u ushtrua nga forcat operacionale dhe speciale të DPB, të mbështetura nga forcat e sigurisë së IEVP-ve Fier, Vlorë, Korçë, Berat, Rrogozhinë, Elbasan, Jordan Misja, Shkodër, Burrel, Fushë-Krujë dhe Durrës.
Gjatë operacionit u përdorën mjete të avancuara si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen anti-drogë dhe skanerë.

Kontrolli përfshiu të gjitha ambientet: sektorët e banimit, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, ambientet e ajrimit, godinat përreth dhe brezin e butë të sigurisë.
Gjatë kontrollit u konstatuan dhe sekuestruan sende të ndaluara, përfshirë sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të tjera të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike. Në një rast u evidentua një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët paraqisnin rrezik për sigurinë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare.
(A2 Televizion)