Mediat greke e cilësojnë një nga skandalet më të rënda të korrupsionit në sektorin publik, atë çka ndodhte në doganën e Mavromatit (Qafë Botë), që u zbulua pas një hetimi disamujor nga Shërbimi i Punëve të Brendshme i Forcave të Sigurisë.
Skema e korrupsionit doli në dritë me arrestimet e 13 zyrtarëve të doganës, çka praktikisht çoi në shkrirjen e stafit të palës greke në këtë pikë doganore që lidh jugun e Shqipërisë me vendin fqinj.
Operacioni u zhvillua në orët e para të së enjtes, më 3 korrik, ndërsa ndaj doganierëve rëndojnë akuza për ryshfet, zhvatje, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shkelje të detyrës.
Sipas mediave helene rrjeti ka zhvilluar aktivitet sistematik brenda doganës së Mavromatit, duke anashkaluar kontrollet e përcaktuara doganore ose kanë ofruar trajtim të favorshëm në këmbim të përfitimeve financiare.
Sipas Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave në Greqi, doganierët kanë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm për periudhën nga 1 janari 2023 deri më 4 korrik 2025, të paktën 456,878 euro.
Kjo shumë u llogarit bazuar në të dhënat e marra nga hetimi i brendshëm dhe çeket bankare mbi llogaritë e individëve të përfshirë. Autoriteti identifikoi depozita dhe transferta parash me shuma me origjinë të panjohur, të cilat nuk janë në përputhje me të ardhurat e deklaruara ose aktivitetet ekonomike të individëve nën hetim.
Bazuar në këto indikacione, u dyshua se kishte një përpjekje për të pastruar paratë e përfituara duke i përfshirë ato në aktivitete të ligjshme ekonomike ose duke i përzier ato me asete të pastra.
Sakaq, drejtësia helene ka vendosur ngrirjen e menjëhershme të të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të 13 doganierëve nën hetim, duke përfshirë llogaritë bankare, para cash në kasaforta, investimet dhe letrat e tjera me vlerë.
Çështja po monitorohet nga afër nga zyra e prokurorit financiar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të reja ose zgjerimit të rrethit të të dyshuarve. Siç duket qartë nga vetë urdhri, struktura e rrjetit i referohet një organizate kriminale të organizuar mirë, me role të dallueshme dhe praktika specifike për fshehjen e të ardhurave të paligjshme.
Skandali ka shkaktuar tashmë reagime të forta edhe në nivel politik, pasi ngrihen pyetje në lidhje me shkallën e kontrollit dhe mbikëqyrjes në strukturat publike kritike të Greqisë. (A2 Televizion)