Përshtatën apartamentin e marrë me qira për prostitucion, arrestohen 3 kineze në Durrës

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 10:55 | Kronikë

Përshtatën apartamentin e marrë me qira për prostitucion,

Tre kineze kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit pasi kishin përshtatur një apartament që kishin marrë me qira për ushtrim prostitucioni. Arrestimi i tyre erdhi pas 3 javësh hetime, ndërkohë që kanë nisur hetimet për 5 persona të tjerë.  

“Si rezultat i hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, për një periudhë trejavore, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Space”. Në kuadër të këtij operacion u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset kineze: M. Y., 41 vjeçe, J. B., 43 vjeçe dhe L. H., 47 vjeçe. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit A. Gj., O. Ll., V. N., A. K. dhe A. G.    Nga hetimet e kryera rezultoi se 3 shtetaset kineze kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit”, njofton Policia.

Gjatë kontrollit në ambientet e apartamentit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 pasaportat e shtetaseve kineze, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 8 celularë dhe 11 karta të bankave të Republikës së Kinës dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos