Kthen banesën në “depo armatimi” në Shkodër, zbulohen 11 pistoleta, 2000 fishekë, 2 antiplumba dhe një silenciator

Nga A2 CNN
2 Maj 2025, 12:22 | Kronikë

Kthen banesën në “depo armatimi” në Shkodër,

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Baruti”, duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje dhe mbështetjes së grupeve kriminale.

Operacioni u zhvillua në fshatin Rrencë, ku u zbulua një bazë e dyshuar që shërbente për aktivitet kriminal. Në banesën e kthyer në “depo armatimi”, u gjetën dhe sekuestruan: 11 pistoleta, një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe një silenciator.

Në pranga ra Ç. J., 61 vjeç, pronari i banesës, person me precedent penal për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, armët dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, hetimet janë duke vijuar për të zbardhur tërësisht rrjetin e përfshirë dhe për të vënë përpara drejtësisë të gjithë personat e implikuar në këtë veprimtari të rrezikshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos