Vijojnë me intensitet operacionet e përbashkëta mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, janë finalizuar dy ekstradime të rëndësishme nga Gjermania dhe Italia.
Në bashkëpunim me autoritetet gjermane, është bërë i mundur arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit D. L., 21 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
D. L. akuzohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Ndërkohë, policia ka arrestuar në Milano dhe ka ekstraduar drejt Shqipërisë shtetasin K. B., 35 vjeç, banues në Korçë.
Ai ishte shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur në qershor 2024, ku në bashkëpunim me një tjetër person, ka mbajtur me forcë brenda një automjeti dhe ka dhunuar rëndë një shtetas tjetër. (A2 Televizion)