Kush nuk ju bind urdhrit! IKMT nis aksionin e prishjeve në qarkun e Korçës

Nga Gazment Janku
5 Gusht 2025, 15:16 | Kronikë

Pas konstatimeve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, përgjatë aksit nacional Korçë–Pogradec, me dhjetëra biznese kanë nisur prishjen e objekteve që nuk respektonin distancën e përcaktuar prej 6 metrash nga shtrati i rrugës.

Midis bizneseve të prekura është edhe ai i Krenar Koçibellit, i cili, përveç faktit që koha e lënë për të hequr murin është shumë e shkurtër, denoncon edhe mospagesën e kompensimit për tokën që po i merret për herë të dytë, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, fadromat e IKMT kanë nisur paraditen e kësaj të marte prishjen e objekteve në pedonalen e qytetit, të cilat nuk janë bindur urdhrit për lirimin vullnetar të hapësirës publike.

Në këtë aksion, krah bizneseve ka qenë edhe anëtari i pavarur i Këshillit Bashkiak të Korçës, i cili shprehet se bashkia është në tejkalim të kompetencave.

Vetëm në qarkun e Korçës janë rreth 1 mijë objekte që janë konstatuar në zaptim të hapësirave publike, në qytete dhe përgjatë rrugëve automobilistike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos