Makina "tradhton" autorin, i vendosi tritol “Visit të garave”, shpallet në kërkim një person

Nga Xhensila Kodra
5 Gusht 2025, 15:17 | Kronikë

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i tritolvënies në garazhin e makinës së Elvis Kosovës, më 24 korrik në Tiranë, i njohur me nofkën "Visi i garave".

Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Klodian Steli nga Fushë-Kruja. Identifikimi i tij u bë nga targa e makinës së përdorur në ngjarje.

Siç duket nga kamerat e sigurisë, Klodian Steli, e kishte parkuar automjetin jo shumë larg rrugës Peti, në zonën e Liqenit Artificial me të cilin largohet edhe pas ngjarjes.

Pas vendosjes së lëndës plasëse, ai ndërron bluzën për të shmangur identifikimin nga policia.

Automjeti i përdorur prej tij është gjetur dhe sekuestruar nga policia. Ndërsa 36-vjeçari dyshohet të jetë larguar jashtë vendit dhe pikërisht këtë makinë e kishte lëshuar me qira.

Hetuesit kanë dyshime se tritolvënia të jetë porositur nga persona të tjerë, pasi nuk rezulton që Klodian Steli të ketë pasur konflikte me Kosovën. Motivi dyshohet për një sherr që Kosova ka patur me persona të tjerë kohët e fundit, sherr ku janë përdorur dhe armë.

Nga shpërthimi u dëmtuan 4 automjete, por nuk pati të lënduar. Para oficerëve të policisë, Kosova ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte. Ai është një emër i njohur për policinë. Në gusht të vitit 2024 u ndalua me akuzën e vjedhjes, por pas disa ditësh, u lirua. Bëhej fjalë për një mjet Audi R8 i cili ishte marrë me qira në Gjermani nga një shtetas turk, i cili ia dha 39-vjeçarit. Pas disa ditësh ky i fundit e denoncoi të vjedhur në policinë e Tiranës. Por pas hetimeve, mjeti luksoz u gjet i fshehur në fshatin Prush ndërsa policia ndaloi Kosovën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos