Laert Haxhiu ekstradohet në Shqipëri

Nga Julian Kasapi
3 Korrik 2024, 13:38 | Kronikë

Laert Haxhiu ekstradohet në Shqipëri

Laert Haxhiu është ekstraduar ditën e sotme në Shqipëri. Me forca të shumta policore, Haxhiu u transportua përmes pikës së kalimit kufitar Kakavijë drejt vendit tonë.

Laert Haxhiu u arrestua në muajin maj të vitit 2023 në Greqi dhe mbahej në burgun e Koridhalos.

Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme në muajin prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vitin 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Konkretisht, viktima mbetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe të plagosur Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Për të njëjtën ngjarje janë dënuar me burg përjetë Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Ekstradohet drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu.

32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".

Falë bashkëpunimit shumë të mirë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, 32 vjeç.

32-vjeçari është sjellë në Kakavije, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi:

-Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", mbetur ne tentativë dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;

-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2020, e ka denuar me burgim të perjetshëm, per veprat penale "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos