Dy inspektorë dhe një nënkomisar nga Policia Kufitare e Pogradecit janë pezulluar nga detyra pas hetimeve të AMP-së, nga të cilat u zbulua se kanë lejuar peshkimin e paligjshëm në liqenin e Ohrit. Sipas burimeve për A2 CNN, mësohet se bëhet fjalë për shtetasit Ilirjan Turtulli, Kudret Latollari dhe Fatos Ismailaj.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, ndaj 3 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
- N/Komisar I. T., me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
- Inspektor K. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
- Inspektor F. I., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë”.
Për tre efektivët në fjalë ka pasur dyshime të arsyeshme se “edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi”. (A2 Televizion)