Lëvizte i armatosur, arrestohet në Sarandë i shumëkërkuari Ervis Cukali. Pistoleta u gjet në det

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 09:59 | Kronikë

Tre të rinj nga Kamza, që lëviznin mbrëmjen e djeshme në Sarandë me një automjet luksoz ‘Porsche’ të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, u vunë në pranga. Policia e Sarandës ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e  koduar “Diving”, ku u arrestuan Endri Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali, ky i fundit dhe person në kërkim për vepra të rënda penale.

Sipas policisë automjeti u ndalua në rrugën “Butrinti”, dhe në atë moment, Endri Doku ka zbritur me vrap duke u hedhur në det për t’i shpëtuar policisë. Ai mbante me vete edhe një çantë, brenda së cilës u gjet një armë zjarri.

Policia thotë se me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, bënë të mundur kapjen e 27-vjeçarit ndërsa brenda një kohe të shkurtër, u gjet edhe çanta që hodhi në det.

Policia sekuestroi edhe armën e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.

Njoftimi i Policisë Sarandë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, operacioni policor i koduar “Diving”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma.

Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.

Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.

Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;

I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos