SPAK përmes një njoftimi për mediat ka zbuluar detaje të operacionit të gjerë që çoi në goditjen e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Operacioni është shtrirë në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë. Sipas Prokurorisë së Posaçme janë nën hetim 13 persona, 7 prej të cilëve janë arrestuar, mes tyre edhe një ish-drejtues i lartë policie.
SPAK ka lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare për të dyshuarit që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa policia po punon në bashkëpunim me Europol dhe agjencitë partnere për kapjen e tyre.
Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se është përfshirë në 11 episode kriminale, duke trafikuar lëndë narkotike dhe duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Ata kanë komunikuar në mënyrë të koduar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky EÇ”, komunikime të siguruara nga autoritetet franceze.
Sasitë e drogës së sekuestruar është 3.5 ton kokainë, 701 kg kanabis dhe 4.2 kg heroinë. Në një nga episodet e hetuara, më 8 janar 2021, shtetasi S. M. në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ndihmoi edhe për kalimin e paligjshëm të 55 shtetasve sirianë drejt Italisë, përmes rrugës detare.
Gjatë hetimeve është zbuluar se disa nga të hetuarit, përfshirë M. Gj., K. M., S. M., E. D., V. R., dhe E. (alias M.) R., kanë tentuar të ndikojnë në vendimet e drejtësisë përmes ryshfeteve që varionin nga 4000 deri në 7500 euro, për të lehtësuar masat e sigurisë ose për të zbutur dënimet.
Një nga të arrestuarit, E. D., ka qenë me funksion në Policinë e Tiranës si Shef i Policisë Kriminale dhe zv/shef i Komisariatit Nr. 3. Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke vënë në dispozicion të dhëna nga sistemi TIMS për persona të hetuar, në favor të grupit kriminal.
Bilanci i operacionit:
- 13 persona nën hetim, nga të cilët: 7 të arrestuar: A. Gj., V. R., A. A., M. Gj., J. (alias I) M., S. L. dhe E. D.;
- 6 në kërkim: K. M., D. H., E. R., L. L., S. M., L. Ç. (alias H., I., Ç.)
Sekuestrimet e realizuara deri tani përfshijnë:
• 5 automjete luksoze (Maserati, Porsche, Audi RS6, Audi E-Tron, VË Golf 8, motor Honda XADV)
• 38,970 euro dhe 200 dollarë
• 8 telefona celularë (disa të enkriptuar)
• 1 armë sportive dhe 40 fishekë
• Sasi e dyshuar e kokainës
• Dokumente të ndryshme (A2 Televizion)