Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili lëvizte i armatosur në rrugën “Ibrahim Rugova”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrolleve intensive të zhvilluara pas mesnatës, me fokus identifikimin e shtetasve që qarkullojnë të armatosur dhe që përbëjnë rrezik për qytetarët dhe rendin publik, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.
Si rezultat, në rrugën “Ibrahim Rugova” u kap dhe u arrestua shtetasi E. S., 27 vjeç, banues në Domje”, njofton Policia.
Gjatë kontrollit në çantën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion, të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)